Prof. Asc. Dr . Vera Ostreni

Departamenti i Infermierisë së Albanian University, Filiali Berat  nëpërmjet programit të studimit  në ciklin e parë,  në fund të të cilit studenti pajiset me diplomë “Bachelor” në  ”Infermieri ”, synon të përgatisë Infermierë,  të cilët  me  përvetësimin e njohurive  bazë dhe të nevojshme,   kanë kapacitete profesionale të duhura për një infermier të përgjithshëm në planin teorik dhe praktik.

 

Kurrikula ka një kohëzgjatje të rregullt tre vjecare dhe është ideuar që të mësojë studentët në vitin e parë me njohuri  të lëndëve fondamentale të mjekësisë siç janë anatomia, fiziologjia, biokimia, histologjia etj. dhe bazat e infermieristikës. Krahas këtyre lëndëve, studentët kanë mundësinë të përvetësojnë njohuri të lëndëve integruese siç janë statistika,  informatika dhe gjuha e huaj, njohuri këto,  të cilat do të plotësojnë dijet e studentit në ushtrimin e profesionit.

 

Gjatë vitit të dytë dhe të tretë studentët pajisen me njohuri në lëndë specifike të mjekësisë  si farmakologjia, imunologjia, morfologjia patologjike etj. dhe lëndë të patologjisë si neurologjia, pediatria, sëmundjet kardio-pulmonare etj. Po në vitin e dytë dhe të tretë studenti pajiset me njohuri praktike të zbatuara fillimisht në manekin ose kushte klase dhe më pas pranë shtratit të pacientit në spital, duke plotësuar formimin profesional të infermierit të përgjithshëm.

 

Diploma  “Bachelor”  në Infermieri përmban njohuritë akademike dhe praktike më bashkëkohore në fushën e Infermierisë së përgjithshme. Këto njohuri i shërbejnë studentëve të forcojnë më tepër sensin praktik të punës. Studentët në fund të programit do të jenë të aftë të ndërmarrin studime të mëtejshme të avancuara në fusha të specializuara të vlefshme për specifikën shqiptare dhe profesionistët e kësaj fushe në Shqipëri.

 

Njohuritë akademike që ofron ky program studimi, synojnë të krijojnë krahas modelit standard  të  infermierit të përgjithshëm,  edhe pajisjen me njohuri në fusha specifike të shkencave mjekësore,  jo vetëm për tregun e punës por dhe vazhdimin e studimeve në specializime të mëtejshme.

 

Departamenti i Infermierisë në një marrëveshje me S.U.Q.U ( Spitalin Ushtarak Qendror Universitar ) në Tiranë dhe Drejtorinë Spitalore Rajonale në Berat ka planifikuar gjatë dy viteve një sasi orësh mësimi praktik në mënyrë që studentët të ushtrojnë praktikë profesionale e cila do të plotësojë formimin profesional të infermierit.

Programi i studimit “Master në Infermieristikë Kirurgjikale”, në Albanian University, Filiali Berat drejtohet nga Departamenti i Infermierise, është i shtrirë në tre semestra dhe ka për qëllim të përgatisë dhe formojë specialistë në infermierinë kirurgjikale në fushën e kirurgjisë së përgjithshme dhe speciale për të rritur dhe fëmijë.

 

Programi i lëndëve mundëson pajisjen e studentëve me njohuri më të thelluara në lëndë të shkencave infermieristike si Infermieristika e përgjithshme dhe klinike, Infermieristika pediatrike, Infermieristika në ekzaminimet endoskopike dhe sallën operatore. Studenti merr njohuri në nënspecialitete të ndryshme të kirurgjisë si: Infermieristika në kirurgjinë obstetrikë-gjinekologjike, Infermieristika në kirurgjinë urologjike, Infermieristika në kirurgjinë torakale, Infermieristika në kirurgjinë abdominale, Infermieristika në kirurgjinë vaskulare dhe kardiake, Infermieristika në kirurgjinë ortopedike-traumatologjike etj.