Albanian University, Filiali Berat është një institucion privat, i pavarur dhe laik i Arsimit të Lartë.

Licensuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, Nr. 697 të datës 18.06.2009, ai hapi dyert në vitin akademik 2009- 2010, duke ofruar programe studimi në dy Fakultete:  Fakultetin e Shkencave Shoqërore me Programet e studimit në Shkenca Juridike, Shkenca Politiko-Administrative dhe Psikologji e Përgjithshme si edhe Fakultetin e Ekonomisë me Programet e studimit në Financë-Bankë dhe Administrim-Biznes. Gjatë vitit  të parë akademik, ndoqën studimet rreth 1000 studentë.

Një vit më vonë ky institucion ofroi diploma të reja universitare në programet e studimit:  Mësuesi për Arsim Parashkollor, Mësuesi për Arsim Fillor, Anglisht, Infermieri, Inxhinieri Kompjuterike dhe Teknologji Informacioni, duke e finalizuar kështu vitin akademik 2010-2011 me hapjen e dy fakulteteve të reja: Fakulteti i Shkencave Mjekësore dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Inxhinierive.

Viti akademik 2010- 2011 e gjen Filialin e Beratit me rreth 2600 studentë në ciklin e parë të studimit, ndërsa viti 2011-2012 e finalizon numrin total të studentëve në 4000.

Që në vitin e parë të krijimit të tij dhe në vazhdim,  ky institucion vuri në qendër të jetës akademike promovimin e produktit intelektual dhe shkrirjen e studimit me kërkimin shkencor. Albanian University, Filiali Berat në bashkëpunim me Konsullatën Italiane akredituar në Shqipëri,  zhvilloi Konferencën me temë: “Lufta kundër Krimit të Organizuar”  në muajin Maj, 2010 në të cilën referuan  Konsulli i Republikës Italiane i akredituar në Shqipëri si edhe  Drejtues të Departamentit të Shkencave Juridike.  Për  të përmbushur aktivitetin akademik dhe ekstrakurrikular në Qershor të të njëjtit vit zhvillohen Konferenca mbi veçoritë e universiteteve rajonale dhe disa të tjera në lidhje me zhvillimin e mësimdhënies; organizuar nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore. Nëpërmjet prezantimeve, hulumtimeve dhe  shkëmbimit, Universiteti orienton dhe nxit identifikimin dhe zhvillimin e projekteve të cilat do të konsolidojnë edhe njëherë qëllimin e tij parësor, atë të zhvillimit shkencor dhe kërkimor drejt cilësisë më të mirë.

Viti  akademik 2011-2012, shënoi një vit të veçantë në jetën e këtij universiteti.  Emri i vjetër i universitetit ndryshon nga U.F.O University, Filiali Berat në një emër më kuptimplotë që përfaqëson denjësisht  4000 studentë  të Albanian University, Filialit Berat.

Më datë 7 Mars 2012, Presidenti i Albanian University në vijim të projektit të realizuar për herë të parë në Berat në vitin 2009 nderoi mësuesit më të mirë në vite në rajonin e Beratit. Përkrah këtij eventi u shpërndanë çmime dhe dhurata për nxënësit maturantë të shkollave të mesme, fitues për esenë më cilësore dhe argumentimin më të fortë ne kuadër te projektit “Kam edhe une nje ide!”, për vitin akademik 2011-2012.

Suksesi i këtij viti finalizohet me iniciativën e suksesshme të presidentit të Albanian University z. Astrit Veliaj, mbi promovimin e kursit trajnues: “Menaxhimi dhe Lidershipi”,  me pjesmarrjen e studentëve të përzgjedhur nga të gjitha fakultetet dhe degët e studimit pranë universitetit, si edhe nënpunësve, drejtuesve të institucioneve vendore dhe qendrore në rajonin e Beratit, ekonomistëve, financierëve dhe juristëve, drejtues biznesesh dhe menaxherë që supervizojnë departamente të PR-it. Të ftuarve iu dha mundësia të frekuentojnë kursin pranë ambjenteve të Albanian University, Filiali Berat  me pedagogët me të kualifikuar të fushës së Menaxhimit si dhe me literaturat më cilësore bashkëkohore të kësaj fushe të mundësuara nga Universiteti. Organizimi i trajnimit mbarti ambicjen dhe vizionin për të përgatitur dhe specializuar individë të interesuar në zotërimin dhe zhvillimin e aftësive drejtuese.

Viti  akademik 2012-2013 përbën një vit të rëndësishëm për disa arsye: Së pari shënon 10 vjetorin e hapjes së aktivitetit të shërbimit privat të Albanian University në fushën e arsimit. Ky vit ofroi edhe një gamë më të gjërë programesh të ciklit të dytë, master profesional dhe master i shkencave  në fushën e infermierisë, të psikologjisë, edukimit, shkencave politike, në fushën e shkencave juridike, ekonomike, inxhinieri etj.

Së dyti, shënon kurorëzimin e suksesshëm të Korpusit të Dijes, në qytetin e Beratit. Universiteti që qyteti po e priste në dekada inaguron investimin kolosal dhe veprën arkitekturore në qendër të Beratit. Universiteti që u konturua në formën më sublime, me dashurinë për vendlindjen, kulturën dhe jetën akademike të qytetit  duke filluar nga kapitali njerëzor cilësor, si lëndë parësore e rritjes së nivelit të kompetencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban! Albanian University, Filiali Berat  vjen jo vetem si qendër akademike, por edhe si vlerë arkitekturore, që shton dita ditës potencialin turistik, i cili stimulon krahinën të akumulojë thesarin intelektual të etur të kthehet në burim zhvillimi duke e finalizuar suksesshëm këtë vit akademik me 5 600 studentë që ndjekin studimet në auditorët e Albanian University, Filiali Berat!

Dhe së treti, programet e studimit në Filialin e Beratit iu nënshtruan procesit të akreditimit duke arritur sukseshëm standardet dhe kriteret e përcaktuar nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë. Bazuar në urdhrin Nr. 274 datë 02.07.2013 të MASH dhe në vendimin nr. 487, datë 03.06.2013 të Këshillit të Akreditimit  programet e studimit Bachelor u akredituan duke marrë vlerësimin përfundimtar “Pozitiv” pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.

VEPRIMTARITË  EKSTRAKURRIKULARE

Evente të cilat shënojnë bashkëpunime të rëndësishme në rang ndëruniversitar, të tilla si marrëveshjet e bashkëpunimit midis Albanian University dhe  universiteteve në rajon dhe ato jashtë vendit janë finalizuar në Universitetin qendror, Albanian University, në Tiranë duke krijuar po të njëjtat mundësi edhe për Filialin e Beratit.

Viti 2011 shënon marrëveshjen në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet universitetit të studimeve të Palermos  dhe Albanian University.  Rektori i Universitetit të Studimeve i Palermos, Prof. Roberto Lagalla dhe Rektori i Albanian University Tiranë dhe Berat, Prof. Pavli Kongo, konsiderojnë bashkëpunimin ndëruniversitar një mjet të domosdoshëm për njohjen e ndërsjelltë të kulturave, për zhvillimin kulturor, shkencor të njohurive dhe shpërndarjen e tyre.  Nisur nga këto konsiderata, dy rektorët kanë vullnetin të orientojnë institucionet respektive, të identifikojnë dhe nxisin zhvillimin e projekteve të përbashkëta me interes të ndërsjelltë në fushat e projektuara dhe disiplina të caktuara.

Këtij viti akademik i bashkohet edhe  marrëveshja në kuadër të bashkëpunimit, me Universitetin e Pisa- Itali, i përfaqësuar nga Rektori Prof. Massimo Augello dhe Albanian University,  i përfaqësuar nga Rektori Prof. Dr. Pavli Kongo. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje  zgjerohet bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve, zhvillimi akademik dhe shkëmbimi kulturor në fushën  e edukimit, kërkimeve dhe në aktivitete të tjera në drejtim të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë. Fusha e bashkëpunimit  përfshin çdo program të ofruar nga cilido universitet që mund të jetë i përshtatshëm për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve.

Këtij viti akademik i shtohet edhe dhenia e tre titujve  “Profesor Nderi”  pranë Albanian University!

Më 20.01.2011, nisur nga misioni në përhapjen e gjuhës angleze, kulturës dhe edukimit amerikan në botë, si edhe për vlerësimin dhe angazhimin e saj pranë Albanian University, Senati Akademik i Albanian University vendos të nderojë me titullin “Profesor Nderi”, Profesoreshën e Harvard-it, Prof. Karen Campbell, gjatë një “Open Lecture”, të mbajtur për studentët e Albanian University në Sallën e Konferencave.

Mbështetur në kontributin dhe përpjekjet e vazhdueshme gjatë 20 viteve për Pavarësinë e Kosovës dhe ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, më dt. 01.02.2011, Senati Akademik i Albanian University vendos t`i japë titullin “Profesoreshë Nderi” , Zj. Edita Tahiri (kryeministre e Kosovës), motivuar  dhe në vlerësimin  e angazhimin pranë Albanian University.

Më 15.06. 2011 Senati Akademik i Albanian University, nderon me Titullin “Profesor Nderi” për angazhimin në referatën shkencore përpara auditorit të Albanian University, Dr. Ferid Murad, vlerësuar kontributin  dhënë në sferën e mjekësisë shqiptare, duke shërbyer për brezat e rinj si një model frymëzimi të vazhdueshëm.

Më 30.09.2011 në ambjentet e Sallës së Konferencave, Senati Akademik i Albanian University vendos të nderojë personalitetin e rradhës,  arkitektin e njohur, B.Arch.M.A  Daniel Libeskind, me titullin “Profesor Nderi”, mbështetur në motivacionin për kontributin e tij në Arkitekturën dhe Kulturën Ndërkombëtare, për përhapjen  e dijeve dhe ideve të çmuara tek të rinjtë, sikurse edhe për vlerësimin dhe angazhimin pranë Albanian University.

Në mbledhjen e datës 5.10.2011, Senati akademik i Albanian University, me unanimitet të plotë vendos t`i japë titullin “Profesor Nderi”, Prof. Dr. Enver Faja, për kontributin e shquar në themelimin e Fakultetit të Arkitekturës  dhe të Inxhinierive pranë Albanian University, si dhe për misionin e shquar  në përgatitjen e brezave të arkitektëve të rinj, me koncepte bashkëkohore.

Një vend themelor në politikat e Albanian University, zë dhënia e përparësisë së punësimit të studentëve të ekselencës dhe atyre me prirje lidershipi,  të cilët lidhën formimin akademik me këtë Universitet dhe hedhin themelet e karrierës së tyre në strukturat e këtij Institucioni gjigand e prestigjioz, të angazhuar  në strukturat administrative, ambjentet e televizionit: UTV News, në mësimdhënie etj.

Studentëve iu krijohet mundësia që nëpërmjet këtyre kurseve trajnuese, projekteve studentore, konferencave, simpoziumeve shkencore, leksioneve të hapura, seminareve permanente, praktikave,  e nëpërmjet numrit të pafund të aktiviteteve ekstra- kurrikulare,  jo vetëm të përgatiten profesionalisht, por të kenë qasjen karshi botës akademike, duke formuar  një profil akademik individual i cili do t’iu  vlejë edhe në studimet e mëtejshme.

Projektet e trajnimet,  me qëllim pozicionimin në instancat universitare,  i kanë dhënë tregut të punës,  administratës shtetërore,  sektorit privat,  produktin  Publik më të mirë të mundshëm, Diplomantin në  Albanian University, Filiali Berat!

Aktivitetet ekstrakurrikulare

Fakulteti i Shkencave Shoqërore, Departamenti i Edukimit

Departamenti i Edukimit, përmes aktiviteteve të tyre dhe përmbajtjeve arsimore, ofron arritjen e instrumenteve për zhvillim individual dhe profesional nëpërmjet aktiviteteve shkencore ekstrakurrikulare. Duhet theksuar se në Albanian University, Filiali Berat këto aktivitete janë të shumta dhe synojnë të shtohen çdo vit e më shumë.

Aktivitetet shkencore ekstrakurrikulare, janë një ndihmë shumë e madhe në punën arsimore të universiteteve të cilat u ndihmojnë studentëve në krijimin e nje eksperience të mirë shkollore. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi janë ndër përfitimet për studentin, dhe Departamenti i Edukimit i inkurajon studentët me pjesëmarrjen sa më aktive në këto aktivitete që zhvillohen.

  • Gjatë vitit akademik 2010 – 2011 janë zhvilluar një sërë aktivitetesh akademiko-ekstrakurrikulare. Ndër to mund të përmendim kumtesat e studentëve në lëndën e letërsisë dhe gjuhës, duke e trajtuar  të mësuarit e gjuhës shqipe shumë të rëndësishëm, dhe ai konsiderohet i tillë veçanërisht për të sotmen dhe për të ardhmen, pasi është gjuha ajo që bën përfaqësimin dhe ekzistencën  e një kombi.
  • Gjatë muajit Maj 2010 Departamenti i Edukimit realizoi me shumë sukseses çeljen e ekspozitës me punimet më të mira të studentëve të “Arsimit Fillor” dhe atyre  “Parashkollor” . Studentët në këtë eveniment bënë një përfaqësim tepër dinjitoz të njohurive të marra në auditorët tanë por në të njëjtën kohë shpalosën në nivele shumë të larta talentet e tyre dhe dijet praktike.
  • Përsa i përket vitit akademik 2011– 2012 shohim një rritje dhe përkushtim më të madh tek studentët si nga ana akademike ashtu dhe ajo profesionale. Me një punë dinjitoze studentët e Departamentit të Edukimit zhvilluan me shumë sukses Konferencën e Parë Kombëtare Studentore më 26 Qershor 2011, me temë: “Problemet themelore të rritjes së efektivitetit të punës në shkolla”. Objekti i kësaj konference ishin referimet më të mira të studentëve dhe pedagogëve, të cilët me prezantimet e tyre, synuan të preknin sadopak problemet që hasim sot në shkolla por njëkohësisht edhe duke dhënë ndihmesë në kapërcimin e këtyre fenomeneve.
  • Vëmë në dukje se në tremujorin e parë të këtij viti të ri akademik, më Dhjetor 2011,  Departamenti i Edukimit në bashkëpunim dhe drejtim  të përkushtuar me pedagogun Prof. Dr. Musa Kraja,  zhvilloi një minisimpozium me studentët e vitit të dytë, Arsimi Fillor me temë: “Mësuesi, Pedagogu, Personaliteti dhe etika e tyre” Studentët gjatë referimit dhanë një panoramë akoma më të gjerë për personalitetin dhe etikën e mësuesve e pedagogëve në ditët e sotme.
  • Gjatë muajit Maj 2012, studentët e Arsimit Parashkollor, bënë një paraqitje të mrekullueshme të talentit, por edhe të përgatitjes së tyre bashkëkohore pranë universitetit tonë. Gjithashtu me një bashkëpunim tepër të ngrohtë me televizionin lokal Onufri TV, studentët tanë dhanë një “show performancëtë shkëlqyer të arritjeve të tyre në lëndën e Muzikës.
  • Në kuadrin e 100-vjetorit  të  Pavarësisë së vendit tonë, Departamenti i Edukimit në bashkëpunim dhe drejtim nga koordinatori dhe profesori i nderuar  Prof. Dr. Musa Kraja, organizoi dhe zhvilloi me sukses të plotë më 3 Qershor 2012  konferencën kombëtare me temë: Rreth zhvillimit historik të mësuesisë si profesion dhe vizioneve bashkëkohore globale”. Objekti i kësaj konference ishin punimet dhe referimet e studentëve më të mirë të programeve tona të Departamentit të Edukimit në “Arsimin Fillor” dhe atë “Parashkollor”, të cilët përmes referimit të tyre dhanë një performancë akoma më të gjerë rreth zhvillimit historik të mësuesisë si profesion i nderuar me vizione bashkëkohore.

 

Një vend të rëndësishëm në veprimtaritë ekstrakurrikulare Departamenti i Edukimit u jep aktivizimit dhe pjesëmarrjes sa më të madhe jo vetëm të studentëve, por edhe vetë stafit të pedagogëve duke sjellë një ngritje profesionale dhe shkëmbim eksperiencash jo vetëm nga universitetet brenda vendit, por edhe më gjerë, si eksperiencat e pedagogëve me përvojë pune jashtë vendit.

 

Departamenti i Shkencave Juridike

Departamenti i Shkencave Juridike gjatë vitit Akademik 2010-2011 ka organizuar konferencën e parë studentore. Në këtë Konferencë janë trajtuar disa çështje që kanë të bëjnë me shkencat juridike ku ndër më të rëndesishmet kanë qënë:

  1. Çështja e gjakmarrjes
  2. Dhuna në familje
  3. Disa nga veprat penale

Në konferencë mori pjesë Konsulli Italian i akredituar në Shqipëri Z. Sergio Strozzi, dekani i Fakultetit të Shkencave Shoqërore Prof. Fatmir Tartale, drejtuesja e Departamentit të Shkencave Juridike  Drnt. Jorida Xhafaj gjithashtu dhe një grup i madh studentësh të shkencave Juridike. Në këtë konferencë u trajtuan problematikat e gjakmarrjes në optikën e gjykimit ligjor; roli i shtetit të së drejtës, i organizimave të tjera shoqërore për zbutjen e këtij fenomeni, roli i familjes, i shkollës si dhe problemet e tjera që lidhen me trazicionin dhe zhvillimin e demokracisë në vendin tonë. Një kumtesë mbresëlënëse bëri dhe Konsulli Italian, i cili vlerësoi proceset demokratike dhe zhvillimet e tyre. Por në fjalën e tij ai ndaloi dhe trajtoi fenomenet e gjakmarrjes dhe të dhunës në familje të cilat shoqërojnë shoqëritë para-demokratike. Ambasadori italian shprehu mbështetjen për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë mbështeti fort idenë e një fondi të përbashkët të “Luftës” kundër gjakmarrjes dhe dhunës në familje.

Departamenti i Shkencave Juridike gjatë vitit akademik 2011-2012 ndër të tjera ka organizuar konferencën e dytë studentore me temë “Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut”. Gjatë kësaj konference morën pjesë një grup studentësh të Departamentit të Shkencave Juridike të cilët paraqitën punimet e tyre. Gjithashtu në konferencë morën pjesë Pedagogë të Departamentit të Shkencave Juridike dhe studentë të shumtë nga departamente të ndryshme të universitetit tonë. Në këtë konferencë studentët trajtuan disa nene nga “Deklarata e të Drejtave të Njeriut”. Ata trajtuan në nivel shkencor çështjet juridike të kësaj deklarate dhe sollën mjaft shembuj alternativë për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Gjatë konferencës u zhvilluan debate dhe u shkëmbyen mendime midis studentëve dhe pedagogëve, duke pasuruar me shembuj nga praktika juridike, çështje që lidheshin me “Deklaratën e të Drejtave të Njeriut”. Në fund të konferencës studentëve që referuan iu dorëzuan certifikata referimi.

 

Departamenti i Shkencave Politiko-Administrative

Më datë 9 qershor 2011, në kampusin e Albanian University, Filiali Berat, u zhvillua Konferenca Shkencore  Ndëruniversitare me temë: “Drejtime dhe veçori të veprimtarive akademike kërkimore-shkencore të universiteteve rajonale”. Të ftuar ishin përfaqësues të shumtë nga universitete të ndryshme të vendit, pedagogë, historianë, përfaqësues të pushtetit vendor dhe të shoqërisë civile nga qyteti i Beratit, njerëz të artit dhe kulturës, të rinj dhe studentë të universitetit tonë.

Kjo konferencë kishte si pikësynim përqendrimin e stafeve akademike në studimin e problemeve të përmbajtjes së programeve të studimit në nivelet e para dhe të dyta. U vu re që pika e fortë e zhvillimit akademik të universiteteve qendore dhe rajonale është studimi i thelluar i programeve mësimore dhe orientimi drejt të menduarit kritik dhe përzgjedhjes së kujdesshme të stafit akademik, elementë të cilët ndikojnë më së miri në zhvillimin profesional të studentëve në auditor dhe të brezave të tërë. Por ajo që është më thelbësore dhe që u vërejt nga kumtesat e referuesve është nevoja e orientimit drejt një strategjie ndërvepruese midis institucioneve. Më pas ajo do të jetë ura lidhëse midis problematikave dhe zgjidhjes së tyre në mënyrë institucionale, sepse padiskutim performanca e nje universiteti rajonal nuk mund të konsiderohet e veçuar nga problemet, po aq sa edhe nga mundësitë që ofron terreni rajonal.

Takime të tilla shërbejnë  për të bashkërenduar dhe arritur një nivel konvergjence të përbashkët midis institucioneve arsimore dhe atyre vendore dhe qendrore.

Ndër temat kryesore që u disukutuan në këtë takim akademik ishin:

  • Universiteti i Beratit sot dhe kampusi universitar nesër – krenari e qytetit tone.
  • Universitetet rajonale si qendra të bashkërendimit të studimeve me vlerë në lëmin e etnolinguistikës.
  • Rikonsiderimi i trashëgimisë kulturore në Qarkun e Beratit.
  • Tradita e Beratit në fushën e arsimit – bazë e rëndësishme për zhvillimin e arsimit profesional dhe arsimit të lartë në këtë qytet.
  • Rijetësimi i qendrës historike të Beratit.
  • Roli i Albanian University,  Berat,  në zhvillimin e mëtejshëm profesional të mësuesve në Qarkun e Beratit.
  • Albanian Universty –faktor strategjik në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm të Qarkut të Beratit.
  • Universitetet rajonale dhe zhvillimi që sjellin ato.

 

Gjatë tremujorit të dytë të vitit akademik 2011-2012 Departamenti i Shkencave Politiko-Administrative organizoi konferencën studentore me temë: “Historia Mijëra Vjeçare e Beratit”. Kjo konferencë erdhi në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit tonë. Objekt i  konferencës ishin punimet dhe referimet e studentëve më të mirë të programit tonë akademik në Shkencat Politike, të cilët synuan të përcjellin nëpërmjet punimeve të tyre historinë mijëra vjeçare të qytetit të Beratit. Kjo konferencë mirëpriti studentë nga degë të ndryshme të universitetit  gjithashtu edhe qytetarë të Beratit dhe njerëz të shquar të këtij qyteti.

 

Disa nga çështjet kryesore që u trajtuan në këtë konferencë ishin:

 

Zhvillimi i arsimit në Berat

  •  Historia e letërsisë biblike
  •  Mendimit e zhvillimit në arsim
  •  Përpjekjet për zhvillimin e arsimit në Berat

 

Figurat politike që ka nxjerrë Berati në historinë e tij

  •  Andrea e Dytë Muzakaj
  •  Qyprillinjtë (familja e tyre)
  •  Vrionët (familja e tyre)
  •  Fryma dhe kontributi i tyre në shpalljen e pavarësisë

 

Berati gjatë viteve të Republikës dhe Monarkisë

Historia politike e Beratit në vitet 1925-1939

Emancipimi demokratik  i shoqërisë

Kontributi i Beratit kundër diskriminimit të Hebrenjve

Figurat që kontribuan në Publicistikë

Historia e Artit në Berat

Berati në UNESCO, vitet e Artit dhe të Kulturës

Universiteti i Beratit një vlerë e madhe në arsim

Në bashkëpunim me Bibliotekën e qytetit të Beratit studentët e patën më të lehtë mbledhjen e informacioneve për punimin analitik të temave që trajtuan.

Në konferencë morën pjesë profesorët e Departamentit të Shkencave Politiko-Administrative dhe të ftuar specialë ishin disa prej pasardhësve të familjeve të vjetra beratase,  gjithashtu dhe studiues të ndryshëm të cilët janë marrë me historinë mijëra vjeçare të Beratit.

Departamenti i Ekonomisë

 

Një  vend të rëndësishëm  përveç planit mësimor në Fakultetin e Ekonomisë zënë dhe veprimtaritë ekstrakurrikulare të zhvilluara këto përkatësisht gjatë vitit akademik 2009-2010 si dhe vitit akademik 2010-2011. Të gjitha këto veprimtari që janë zhvilluar kanë  patur për synim dhe objektiv bazë njohjen e studentëve me një gamë të gjerë njohurish mbi ekonominë, biznesin, zhvillimin e tij, kushtet ku realizohet më së miri, mënyrat e operimit të tij në treg etj.

Përmendim dy prej këtyre aktiviteteve:

  1. Veprimtaria e parë titullohet “Paraqitja e buxhetit të shtetit dhe problematikat gjatë vitit 2010”.  Ky leksion i hapur është mbajtur nga Profesor Gjergj Teneqexhi dhe qëllimi i tij ka qenë shtimi dhe zgjerimi i njohurive të studentëve me problematikat e ndryshme që hasen në sektorin ekonomik.
  2. Veprimtaria e dytë titullohet “Problematikat e zhvillimit ekonomik dhe politikat ekonomike”. Ky leksion i hapur u mbajt nga Profesor Selami Xhepa.

 

Veprimtaritë e mësipërme ndihmuan  mjaft mirë në perfeksionimin e kontrollit menaxherial i cili përfshin monitorimin e aktiviteteve në mënyrë që të sigurohemi për realizimin e tyre sipas parashikimeve. Po kështu dhe për të korrigjuar ndonjë shmangie të rëndësishme e cila mund të na dëmtojë dhe të na japë rezultate të padëshiruara në biznesin tonë ekonomik. Pra efektiviteti i një sistemi kontrolli përcaktohet nga fleksibiliteti dhe lehtësia e arritjes së qëllimeve të tij që do të thotë qëllimi final dhe i vetëm për çdo biznes ekonomik është maksimizimi i fitimit.

 

Departamenti i Inxhinierisë

Në kuadër të aktiviteteve ekstrakurrikulare, pranë  ambjenteve të  Albanian University, Tiranë  janë zhvilluar workshop-e,  në disa prej të  cilëve kanë qenë  të pranishëm edhe studentë të Filialit Berat. Në workshop-in e mbajtur nga përfaqësues për Ballkanin të  firmës “National Instrument”  u prezantuan zhvillimet e fundit dhe produktet më të reja të  teknologjisë  lidhur me Sistemet e Matjeve.  Diskutimet ishin të shumta si nga stafi akademik ashtu dhe nga studentët, ku u diskutua lidhur me funksionimin e këtye pajisjeve dhe përftimet që sjell zhvillimi i teknologjisë në jetën e përditshme. Nga përfaqësuesit e “National Instrument” u vlerësuan diskutimet dhe interesi i treguar nga studentët, gjithashtu idetë e përcjella nga ata. Nga ky aktivitet studentët përfituan shumë eksperiencë praktike dhe informacion aktual ashtu siç është rasti i kësaj firme të huaj. Angazhimi i studentëve në këtë workshop nxit dhe i përfshin studentët direkt në profesion gjë e cila i ndihmon të jenë të parapërgatitur për të qenë të denjë për pozicionet e punës ku ata do atashohen pasi të jenë diplomuar.

Departamenti i Psikologjisë

Departamenti i Psikologjisë ka organizuar disa konferenca kombëtare dhe studentore. Tematikat kanë qenë kryesisht rreth problemeve sociale që prekin sot shoqërinë, familjen, të rinjtë dhe femijët. Impakti i këtyre konferencave ekstrakurrikulare ka qenë i frytshëm në arritjen e  qëllimit të  tyre final për të aftësuar profesionalisht dhe praktikisht studentët e këtij profili. Profesorët dhe kumtuesit nëpërmjet hulumtimeve synojnë në vijim arritjen drejt thellimit të një studimi sa më real dhe të dobishëm. Ky department ka bashkëpunuar ngushtë me Departamentin e Edukimit në lidhje me problemet që hasen tek të rinjtë si në shkollë edhe në jetën e përditshme.

Më 9 Maj 2012 u mbajt një leksion i hapur me temën “Vdekja, zia dhe procesi i atashimit”, i organizuar nga Flavia Shehu dhe Brunilda Laboviti. Ky leksion shpjegonte ritet dhe zakonet që zhvillohen në familjet shqiptare në rastet e këtyre fatkeqësive familjare.

Më datë 26 maj 2012 u mbajt një simpozium shkencor me temë: “E ardhmja ime si Psikolog” i organizuar nga lektorët  Brunilda Laboviti dhe Senada Bajraktari.  Në këtë konferencë shkencore një pjesë e mirë e studentëve të viteve të treta prezantuan studime interesante dhe në kumtesat e tyre ata sollën vërtet arsye dhe fakte se shoqëria shqiptare në këtë periudhë ka nevojë më shumë se kurrë për specialistë të psikologjisë.

Departamenti i Psikologjisë organizoi Leksion të Hapur me tematikë për çështje që lidhen me situatën, legjislacionin, ndërhyrjen dhe institucionet e ndryshme për përdorimin dhe varësinë ndaj substancave narkotike.